Hapet thirrja për projekte kulturore dhe turistike me fond 190 milionë lekë
Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit hap thirrjen për projekte kulturore dhe turistike për vitin 2026, me qëllim mbështetjen e eventeve dhe festivaleve që promovojnë turizmin dhe kulturën.

Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit (MTKS) shpall thirrjen publike për projekt-propozime për ngjarje kulturore dhe turistike që do të zhvillohen gjatë vitit 2026 në territorin e Republikës së Shqipërisë, me synim mbështetjen financiare të festivaleve, eventeve dhe iniciativave promovuese që forcojnë turizmin kulturor dhe kreativ, rrisin vizibilitetin e Shqipërisë si destinacion turistik, zhvillojnë industrinë kreative dhe ekonominë kulturore, si dhe nxisin përfshirjen e komuniteteve dhe edukimin kulturor.
Thirrja, me një fond total prej 190 milionë lekësh, synon të mbështesë projekte me ndikim kombëtar, lokal dhe komunitar, duke kontribuar në zgjatjen e sezonit turistik, zhvillimin territorial të qëndrueshëm dhe promovimin e identitetit kulturor shqiptar përmes produkteve dhe ngjarjeve cilësore.
Njoftimi i plotë:
Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit (MTKS) shpall thirrjen publike për mbështetje financiare me fonde publike për projekt-propozime në fushën e kulturës dhe turizmit, që do të zhvillohen brenda territorit të Republikës së Shqipërisë gjatë vitit 2026.
Mbështeten ngjarjet kulturore dhe turistike që kontribuojnë në:
-zhvillimin e turizmit kulturor dhe kreativ,
-promovimin e Shqipërisë si destinacion turistik,
-forcimin e industrisë kreative dhe ekonomisë kulturore,
-përfshirjen e komuniteteve dhe edukimin kulturor.
Prioritetet kryesore:
Projektet duhet të adresojnë një ose më shumë nga prioritetet e mëposhtme:
1.Zhvillimi i turizmit kulturor dhe kreativ përmes festivaleve dhe eventeve cilësore.
2.Fuqizimi i krijimtarisë artistike dhe përfshirja e talenteve të reja.
3.Ndërkombëtarëzimi i ngjarjeve dhe rritja e vizibilitetit turistik të Shqipërisë.
4.Zhvillimi i industrisë kreative dhe ekonomisë kulturore si motor i turizmit.
5.Edukimi kulturor, përfshirja sociale dhe turizmi i qëndrueshëm.
6.Zgjatja e sezonit turistik dhe zhvillimi territorial i qëndrueshëm.
7.Promovimi i identitetit kulturor shqiptar dhe i produkteve origjinale vendase.
Kategoritë e mbështetjes:
Thirrja ndahet në 3 kategori:
Kategoria I – Ngjarje turistike të mëdha me profil të lartë promovues
Ngjarje kombëtare ose ndërkombëtare me audiencë të gjerë, ndikim të matshëm turistik dhe shtrirje disa-ditore.
Grant: nga 3,000,000 lekë e lart.
Kategoria II – Ngjarje kulturore e turistike për zhvillimin lokal
Evente me ndikim në qytete apo zona specifike, që promovojnë artin dhe turizmin lokal.
Grant: 1,000,000 – 3,000,000 lekë.
Kategoria III – Aktivitete kulturore e turistike për komunitetin
Aktivitete lokale, me fokus komunitetin, grupet e interesit dhe talentet e reja.
Grant: 500,000 – 1,000,000 lekë.
Fondi total:
190,000,000 lekë në total për vitin 2026.
Kush mund të aplikojë?
-Organizata jofitimprurëse
-Persona fizikë (vetëm për Kategorinë III)
-Persona juridikë (për projekte në fushën e turizmit)
Aplikantët duhet të jenë të regjistruar dhe aktivë në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Afatet kryesore:
Hapja e thirrjes: 16 janar 2026
Afati i fundit i aplikimit: 10 shkurt 2026, ora 16:30
Shpallja e fituesve: 5 mars 2026
Zbatimi i projekteve: mars – dhjetor 2026
Dokumentacioni:
1.Udhëzuesi dhe Prioritetet për Thirrjen 2026
2.Formulari i Aplikimit 2026 (Shtojca 2)
3.Formulari i Projekt-Buxhetit 2026 (Shtojca 3)
4.Formulari i Aktiviteteve 2026 (Shtojca 4)
5.Deklarata e Financimit të Dyfishtë (Shtojca 5)
6.Deklarata e Konfliktit të Interesit (Shtojca 6)
7.Deklarata e të Drejtës së Autorit (Shtojca 7)
8.Lista e dokumentave shoqëruese në fushën e kulturës (në varësi të fushës së aplikimit)
9.Lista e dokumentacionit shoqerues ne fushen e turizmit (në varësi të fushës së aplikimit)
Burimi: Ekofin.al
Më të lexuarat






